
13 gola të Ujkiqit në fitoren e Istogut, Nivokazi i realizon 17
Pivotja e Kombëtares së Kosovës, Suzana Ujkiq, i ka shënuar 13 gola në fitoren e re të Istogut.
Istogu të enjten mbrëma në Banjë fitoi 43:38 ndaj Shqiponjës së Gjakovës. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për xhiron e 14-të të Superligës së Kosovës. Pos Ujkiqit tek Istogu me efikasitet u dallua edhe Astou Ndiaye që i realizoi 10 gola.
Suzana Ujkiq megjithatë nuk ishte më efikasja në ndeshje. Plot 17 gola për Shqiponjën i realizoi Alma Nivokazi. Tetë i kishte Orgesa Gola.
Istogu është lider me 24 pikë nga 13 ndeshje. Shqiponja renditet e katërta me 14 pikë. Të shtunën u luajt edhe ndeshja Vushtrria – Besa. Fitore bindëse, 46:27, shënoi Vushtrria. Sevdanur Ozkan i shënoi 12 gola për Vushtrrinë, derisa 10 i kishte Gentiana Basholli.
Qëndresa Berisha i shënoi gjashtë gola për Besën e pesë i kishte Edona Radoniqi. Vushtrria i ka 12 pikë në vendin e gjashtë. Besa është e shtata me 8 pikë.