13 mijë vetura me regjistrim të përkohshëm qarkullojnë në Kosovë
Në Kosovë qarkullojnë 12 mijë e 869 vetura me regjistrim të përkohshëm (RP). Automjetet me targa “RP” që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës, nënkuptojnë “Regjistrim të Përkohshëm”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB), kanë thënë se në vendin tonë janë gjithsej 12 mijë e 869 vetura me regjistrim të tillë. “Numri i përgjithshëm i veturave të regjistruar në Kosovë me targa të përkohshme “RP” janë 12869”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Po ashtu, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se për këtë regjistrim qytetarët paguajnë 20 euro dhe se kjo vlen për të gjithë ata që janë për qëndrim të përkohshëm në Kosovë. Sipas MPB-së, qytetarët që i regjistrojnë veturat e tyre me “RP”, janë valide vetëm për një vit dhe janë regjistruar me ligj.
“Në bazë të Udhëzimit Administrativ për Regjistrimin e Mjeteve Nr.07/2019, regjistrimi i përkohshëm është valid një vit”, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme për “lajmi.net”. Duke e përllogaritur shumën që duhet të paguajnë qytetarët që marrin këto targa dhe me numrin që është në qarkullim i këtyre automjeteve në vendin tonë, i bije që Ministria e Punëve të Brendshme vetëm nga regjistrimi i këtyre veturave ka arkëtuar buxhetin me 257 mijë e 380 euro.