13 raste të reja me Covid-19, shërohen edhe dy të tjerë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se sot janë testuar gjithsej 113 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren dhe nga to janë konfirmuar 13 raste të reja me Covid-19.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 10 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Vushtrri, 1 rast Mihaliq dhe 1 rast Ceceli), komuna e Mitrovicës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Mitrovicë) dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë.
Po ashtu sipas IKSHPK-së, sot janë shëruar edhe dy pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 843.
Nga data 8 shkurt deri më 31 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 14.968 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.083 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
(M.Q / Epoka e re)