13 të rinj nga Ballkani Perëndimor vizituan Japoninë
Pritja në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë ka shënuar zyrtarisht fundin e rrugëtimit shtatëditor për 13 të rinjtë nga Ballkani Perëndimor, të cilët vizituan Tokën e Diellit në kuadër të “Programit të Lidhjeve Shoqërore të Japonisë” – MIRAI.
Në bashkëpunim me Qeverinë e Japonisë, RYCO e ka zbatuar këtë projekt për katër vjet radhazi me qëllim të promovimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, zgjerimit të diskutimit intelektual dhe ndërtimit të një rrjeti të fortë të liderëve të ardhshëm.
Nga data 13-20 shkurt, 13 të rinj të përzgjedhur përmes një procesi shumë konkurrues me më shumë se 400 aplikues, patën mundësinë të vizitojnë vende të rëndësishme historike dhe institucione arsimore në Tokio dhe Hiroshima, dhe përmes dialogut dhe diskutimeve të thellojnë njohuritë e tyre mbi ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konfliktit.
Gjatë ditëve të para të vizitës, pjesëmarrësit mësuan gjithashtu për përpjekjet e Japonisë drejt ndërtimit të paqes përmes një vizite në Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) dhe më vonë, gjatë vizitës së tyre në Hiroshima, ku u angazhuan në një diskutim të thellë mbi mënyrën se si Japonia u përball me të kaluarën e saj, veçanërisht me pasojat e bombës atomike në Hiroshima.
Medinë Dauti, pjesëmarrëse nga Kosova ndau përshtypjet e saj gjatë kësaj vizite. “Si dikush që vjen nga rajoni i plagosur nga konflikti, turneu i Hiroshimës më shërbeu si një katalizator i fuqishëm për reflektim dhe transformim. Më sfidoi të rimendoj pikëpamjet e mia për ndërtimin e paqes dhe pajtimin, duke më nxitur të çlirohem nga cikli i dhunës dhe të përqafoj një qasje më të dhembshur dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e konflikteve. Përvoja e Parkut Përkujtimor të Hiroshimës jo vetëm që më dha një kuptim më të thellë të pasojave të luftës, por gjithashtu më nguliti një ndjenjë të përtërirë shprese dhe vendosmërie për të kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje ku mizori të tilla nuk do të përsëriten kurrë. Ishte një udhëtim që jo vetëm që shëroi një pjesë të zemrës sime, por gjithashtu më frymëzoi për të ndjekur në mënyrë aktive paqen në të gjitha aspektet e jetës sime”, ka thënë Dauti.
Vizita në Japoni ofroi gjithashtu përvoja unike kulturore, pasi 13 pjesëmarrës, përfshirë studentë të diplomuar dhe universitar, dhe profesionistë të rinj patën mundësinë të mësojnë rreth kaligrafisë dhe të provojnë veten në këtë art të të shkruarit.
Ditën e fundit të vizitës, pjesëmarrësit e MIRAI-t bënë një vizitë zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, ku morën pjesë në seancën raportuese dhe ndanë përshtypjet e tyre rreth programit dhe mësimet e nxjerra gjatë vizitës që do të mund t’i ndajnë me bashkëmoshatarët e tyre pas kthimit në shtëpi.