13 vjet pa Nazim Pulën

28 dhjetor 2021 | 10:43

Shkruan: Bashkim N. Hoxha

Vitet po ecin kujtimet na mbesin.

Nazim Pulaj nga Vërmica e Prizrenit.

U lind më 03.01.1962, shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në fshatin e lindjes dhe Prizren për të vazhduar studimet në Prishtinë për gjuhë dhe letërsi shqipe.

Nazimi qysh i ri u lidh  me ilegalen shqiptare që angazhohej për përgatitjen e kryengritjes së armatosu çlirimtare.

Për veprimtarinë  atdhetare  vazhdimisht ka qenë në shenjestër të pushtetit të atëhershëm jugosllav dhe më vonë atij  të Serbisë. Nazimi dallohej për nga aftësitë e tija komunikuese, ishte i lapsit, i fjalës dhe besës; i ndershëm, njeri trim dhe atdhetar i dalluar. Pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet ku kishte të bënte me çështjen shqiptare: në demostrata, protesta, pajtimin e gjaqeve si dhe njëri ndër luftëtarët e orëve të para të USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS.

Personalisht Nazimin e kam njohur qysh kur isha adoleshent. Kishte  lidhje  miqësore    lagjen ku unë kam lindur.

Njohjen më për së afërmi e kemi krijuar që nga prilli i vitit 1998 kur kishim kaluar kufirin Kosovë- Shqipëri (në grupe të ndryshme) për t’u furnizuar me mjetet e nevojshme për nevojat e luftës që po merrte formë.

Kemi bashkëpunuar në shumicën e kohës deri në përfundim të luftës. Nazimi ka qenë burrë i përgatitur në shumë dimensione. Një organizator i shkëlqyer, luftëtar sypatrembur, epror i dashur e i pjekur intelektualisht. Në aspektin politik Nazimi i takonte asaj pjese  që besonte se vetëm me luftë të armatosur mund të arrihet ideali shekullor i shqiptarëve për liri.

Ishte një përbashkues i zëshëm i cili përpiqej t’i  afronte sa më shumë shtresat e ndryshme shoqërore  dhe të spektrit politik rreth kauzës çlirimtare. Kontributi i Nazimit si veprimtar i çështjes kombëtare, ushtar dhe epror në luftë, humanist që ndihmonte njerëzit në nevojë … është për t’u theksuar.

Nazimi i përkiste brigadës 28/128s (UÇK), të Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP).

Ne shokët, bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e Nazim Pulës mendoj se e kemi obligim moral ta kujtojmë jetën dhe veprën e tij.

p.s

Me rastin e shkrimit të këtyre radhëve dua të përshëndes familjarët, shokët dhe gjithë bashkëluftëtarët e Nazimit.

Nder dhe respekt Nazimit dhe të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Nazimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Ishte knaqësia ime, që sot në vizitën e…