13 vjet pa profesorin, letrarin e atdhetarin Çerkin Ismaili
Sot bëhen 13 vjet kur u nda nga kjo botë fizikisht profesori e letrari i njohur, Çerkin Ismaili nga Vushtrria, por vepra e tij kombëtare e intelektuale mbetet përjetësisht e gjallë në brezat e tanishëm e ata të ardhshëm.
Profesori, Çerkin Ismaili, ia kushtoi një jetë të tërë angazhimit të paepur kombëtar, arsimimit të brezave të tërë, e letërsisë me plot pasion.
Ismaili lindi në vitin 1948 në fshatin Banjskë të Vushtrrisë, kurse shkollimin fillor e kreu në Smrekonicë për të vazhduar me gjimnazin klasik në Vushtrri. Qysh gjatë shkollimit të mesëm Ismaili filloi të botojë në shtypin letrar të kohës krijimet e para duke shfaqur një talent të rrallë. Nga gjimanzi vazhdoi studimet në fushën e albanologjisë në Fakultetin Filozofik të auniversitetit të Prishtinës.
Përgatitja dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm bëri që ai akoma si student të filloi punën e profesorit në gjimanzin e Vushtrrisë, lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe asaj Latine. Angazhimi i tij jetësor qysh nga rinia ishte shumëdimensional, andaj pas mbarimit të studimeve, një kohë redaktoi gazetën “Trepça” në Mitrovicë, kurse pranvera “e nxehtë” e vitit 1981 e gjeti duke punuar në shkollën e mesme ekonomike në Mitrovicë. Ismaili jo që nuk qëndroi indiferent, por ishte i angazhuar kokë e këmbë në lëvizjen e demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981, që dridhën për herë të parë themelet e Jugosllavisë.
Për shkak të angazhimit dhe bindjeve të tij kombëtare e kundër padrejtësive, e çlirimit të Kosovës, profesor Ismaili u largua nga puna e u dënua me burg. Por duket se dënimet për shkak të angazhimit kombëtar, le që nuk e zmbrapsën në rrugën e tij, por vetëm sa e forcuan dhe e shtuan aktivitetin e tij për çështjen kombëtare.
Gjatë viteve 80-ta qëndroi për dy vite në Dalmaci duke punuar punëtor krahu, për shkak se përndjekjet e pushtetit jugosllav nuk kishin të ndalur. Vet pushteti duke e ditur rëndësinë e angazhimit të tij, impaktin që kishte në mesin e intelektualëve dhe popullit shqiptar të Kosovës, e burgosi sërish në vitin 1992. Shërbimi sekret jugosllav në vitin 1999 e kishte klasifikuar në listën e intelektualëve të Mitrovicës, që i kishte paraparë t’i likuidonte.
Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh si gjimnazist, kur edhe ka filluar t’i botojë shkrimet e para. Disa nga botimet e profesor Çerkin Ismailit janë: “Lindjet e shpërndara”, poezi, Prishtinë, 1993; “Tela të këputur,” poezi, Mitrovicë,1997; “Drama e qëndresës së Vocëve të Shalës së Bajgorës”, monografi, Prishtinë, 1998,“Shtrëngata”, roman, Prishtinë, 2006; “Ethe të trishta’, roman, Prishtinë, 2009. Përveç këtyre veprave, autori ka botuar edhe një mori recensionesh, vëzhgimesh letrare dhe esesh.
Gjithashtu, për veprimtarinë e tij letrare janë shkruar një mori kritikash dhe studimesh letrare. Disa herë ka marrë çmime letrare për poezi. Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Klubit Letrar “Lumi i bardhë” në Mitrovicë dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare “Fjalë e valë” që botohet në Mitrovicë. Po ashtu ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në përvjetorin e parë të vdekjes u botua vepra e tij me poezi “Reliktet e Mallkimit”, të cilën autori e la në dorëshkrim. Vepra e tij letrare është vlerësuar lartë nga studiues të fushës. Poeti Sabit Idrizi ka shkruar kritikë për veprën letrare të Ismailit, në veçanti veprën me poezi, “Gjurmë shpirti” të cilën e vlerësoi lartë në aspektin përmbajtësor e atë letrar.
Sot në këtë përvjetor të 13-të, kujtohet angazhimi i rrallë kombëtar e vepra e lartësuar letrare, që profesori Ismaili e la trashëgim përjetësisht për brezat e ardhshëm.