13-vjetori i Pavarësisë, ambasadori Gashi bën homazhe te ‘Harku i Triumfit’ në Paris
Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, me rastin e shënimit të përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Kosovës ka bërë homazhe tek “Harku i Triumfit” në Paris.
“Rindezja e flakës tek varri i ushtarit të panjohur ngjall gjithmonë plot emocione. Kjo flakë është rindezur çdo ditë që nga viti 1923 dhe aty zhvillohen ceremoni të rëndësishme shtetërore”.
“Kisha kënaqësinë të shoqërohem nga atasheu i mbrojtjes nënkolonel Ali Krasniqi, si dhe stafi i Ambasadës e mysafirë të tjerë, përfshirë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Francë si dhe studentë. U përkulëm për t’i nderuar ata që u sakrifikuan për liri. Ata që e kanë mbrojtur si dhe ata që e mbrojnë lirinë në Kosovë, në Francë e kudo në botë. Qe moment për t’i shprehur mirënjohje atyre që i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës. Vet ngjarja ka simbolikë të fortë për miqësinë ndërmjet dy shteteve tona”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.