13-vjetori i vdekjes së Nekibe Kelmendit, në selinë e LDK-së shpaloset pllaka dhe portreti përkujtimor i saj
Brenda hapësirave të selisë qendrore në LDK, të mërkurën është shpalosur pllaka dhe portreti përkujtimor i Nekibe Kelmendit, në 13-vjetorin e vdekjes së saj. Në këtë ceremoni ka qenë e pranishme edhe vajza e saj, Kosovarja.
Këtë e ka bërë me dije lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se Kelmendi ishte një emblemë identifikuese e një gruaje, e një nënë të pamposhtur që përkundër sfidave e dhimbjeve të rënda nuk u gjunjëzua asnjëherë.
“Portreti i saj, i vendosur tashmë përballë Enver Malokut, e në varg me të tjerë që do të pasojnë, do të shërbejnë si rikujtim i fuqishëm për secilin që kapërcen nëpër korridorin hyrës të kësaj shtëpie të demokracisë. Se vepra e madhe e lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, është bartur nga njerëz të mëdhenj me ëndrra e përkushtime të mëdha! Gjurmët, sakrifica dhe puna e Nekibe Kelmendit tashmë janë një udhërrëfyes për të gjithë ne që të ecim përpara”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.