135 tituj librash të blera nga MKRS-ja donacion për FSK-në
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku është pritur në takim nga gjenerali Enver Cikaqi.
Qëllimi i kësaj vizite ishte dhurimi i librave të botuara dhe të blera nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bibliotekën e FSK-së.
Më këtë rast, ministri Gashi ka thënë se kanë ndërmarrë një iniciativë për t’i furnizuar bibliotekat e komunave me libra. “Në kuadër të kësaj kemi menduar që të furnizojmë dhe bibliotekën e ushtrisë sonë, po ashtu edhe pjesën lindore të Kosovës, Preshevën, Medvegjën, Bujanocin si dhe Ulqinin dhe Tuzin”, është shprehur Gashi.
Ai ka shtuar se furnizimi me libra nëpër biblioteka të komunave të Kosovës si dhe jashtë territorit të Kosovës është një program i rëndësishëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. “Në kuadër të këtij programi ne po dhurojmë në çdo bibliotekë nga 135 tituj, të cilët janë më të kërkuar nga publiku kohën e fundit. Duke pasur parasysh që kohën e fundit nuk ka pasur investime në libra ne kemi vendosur që t’i mbështesim bibliotekat me këtë donacion, i cili besoj që do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë ministri Gashi.
Ndërkaq, gjenerali Enver Cikaqi ka falënderuar ministrin Gashi për vizitën dhe dhurimin e librave për bibliotekën e FSK-së dhe gjithashtu e ka njoftuar ministrin rreth bibliotekës dhe interesimin e pjesëtarëve të FSK-së për leximin e librave.
“Këta tituj do t’i ndihmojnë shumë pjesëtarët tanë për formësimin dhe avancimin profesional dhe njëkohësisht do ta kemi një bibliotekë më të begatshme. Ardhja juaj këtu për t’i sjell librat është një mesazh që FSK-ja është mbarë dhe ndihemi të përkrahur edhe nga të tjerët”, është shprehur gjenerali Enver Cikaqi.
/Epoka e re/