14 ditë nga zhdukja e Bedri Rexhepi, pronar i një biznesi “rent a car”
Nga data 8 prill rreth orës 16:00 ai u largua nga shtëpia dhe nga ajo ditë nuk është i qasshëm më në telefon.
Një ditë pas zhdukjes, vetura e 38-vjeçarit është gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, por jo edhe ai.
Ndërkaq që prej natës së zhdukjes, telefoni i tij po qëndron i mbyllur.
Dyshimet e Prokurorisë janë se ai është rrëmbyer. I dyshuar për rrëmbimin e tij është Jeton Vllasaliu.
Në ditën që Rexhepi pretendohet të jetë rrëmbyer, me vete kishte pasur një shumë të konsiderueshme të parave.
E një person që dyshohet se ka gisht në këtë rast tashmë është arrestuar.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha se personit me inicialet J.V me kërkesë të Departamentit të Krimeve të Rënda iu është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaj, të cilën kërkesë e ka aprovuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë, familja Rexhepi nga këto organe të drejtësisë po pret zbardhjen e rastit derisa kërkon edhe ndihmë nga qytetarët që mund të dinë ndonjë gjë për fatin e familjarit të tyre.
E policia bashkë me prokurorinë janë duke punuar intensivisht me këtë rast, sipas zyrtarëve për informim të këtyre dy institucioneve.