14 të vrarë dhe 180 të plagosur nga një sulm në Afganistan
Talibanët kanë vrarë të paktën tetë persona të personelit të sigurisë dhe gjashtë civilë në një sulm me bomba në provincën Ghazni të Afganistanit, kanë bërë me dije zyrtarët e qeverisë dhe talibanëve.
Zyrtarët afganë kanë thënë se bomba kishte në shënjestër njësinë kryesore të inteligjencës të vendit, Drejtorinë Kombëtare të Sigurisë (NDS).
Kurse, zyrtarët e shëndetësisë në Ghazni, kanë bërë me dije se 13 të rritur, përfshirë tetë anëtarë të NDS-së dhe një fëmijë janë vrarë.
Të paktën 60 fëmijë që ndiqnin mësimet në një shkollë private të vendosur afër sheshit të shpërthimit kanë qenë në mesin e 180 personave të plagosur.
“Shifrat e viktimave mund të rriten pasi që ky nuk është raporti i fundit i të lënduarve në shpërthimin e fuqishëm”, ka thënë Zaher Shah Nekmal, drejtor shëndetësor në provincën Ghazni.
Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin. “Dhjetëra oficerë të NDS-së u vranë ose u plagosën”, ka thënë zëdhënësi i grupit Zabihullah Mujahid nëpërmjet një deklarate.