14 viktima dhe 150 persona të zhdukur pas shkëputjes së akullnajës në Indi
Tragjedia në Indi ka marrë përmasa më të mëdha. BBC bën me dije se si pasojë e shkëputjes së një akullnaje në Himalaja në Indinë veriore kanë humbur jetën 14 persona dhe 150 të tjerë raportohen të zhdukur.
Numri i viktimave është dyfishuar krahasuar me një ditë më parë dhe mendohet që në orët në vijim do të rritet sërish, pasi kërkimet për të zhdukurit vijojnë ende.
Tragjedia u shkaktua nga një akullnajë, e cila u përplas me digën e një hidrocentrali dhe shkaktoi përmbytje të mëdha
Disa fshatra janë evakuuar pasi prurjet e nga diga e çarë ishin të mëdha. Deri tani mësohet se shumica e të zhdukurve janë punëtorë nga dy hidrocentrale në zonë, kërkimet për të cilët po vijojnë që nga dje.
Qindra trupa të ushtrisë dhe helikopterë ushtarakë janë dërguar në zonë për të ndihmuar ekipet e kërkim-shpëtimit.
Ndërkohë ka nisur një hetim për këtë tragjedi, pasi ende nuk është përcaktuar se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin akullnajor. Nga ana tjetër zyrtarët thonë se 25 njerëz janë shpëtuar deri më tani./tvklan.al/