15 milionë euro borxh për mospagesën e ujit në veri, ARrU-ja kërkon mbështetjen e Qeverisë
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, ka shqyrtuar raportin vjetor të Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARrU).
Edhe pse uji faturohet në veri të Kosovës, zëvendësdrejtori i ARRU-së Xhelal Selmani, ka thënë se uji i shpenzuar nuk paguhet.
Sipas tij, borxhi i akumuluar që nga pas lufta është rreth 15 milionë euro. “Në pjesën veriore ujin e marrin nga KRU “Mitrovica” pastaj e distribuon një kompani tjetër. Sa i përket pjesës veriore problemi është i madh, uji faturohet, por uji s’ paguhet në pjesën veriore dhe ne s’kemi qasje aty, çmimi i ujit që dorëzohet në pjesën veriore është 17 cent dhe është borxh prej 15 milionë euro dhe kompania është në gjendje të vështirë”, u shpreh ai.
Selmani tutje ka shtuar se nga 1.8 milionë banorë qasje në shërbimin e ujit kanë vetëm 74 për qind. Ai ka shprehur shqetësimin sa i përket ujit të pa faturuar që tha se vetëm gjatë viti 2020 është 55 për qind.
Ai po ashtu ka thënë se i kanë bërë shkresë Kuvendit lidhur më këtë shqetësim, por që deri më tash s’kanë marr përgjigje. “Në komunën e Mamushës ka pasur vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm. ARrU ka kontribuar performancën edhe në vitin 2020 të KRU-ve. Me ligjin mbi ujërat faturimi pa matje është i ndaluar. Performanca e KRU-ve ka qenë e mirë duke përfshirë furnizimin me ujë, 1.8 milionë banorë që qasje kanë në shërbimin e ujit 74 për qind. Uji i pa faturuar vazhdon të mbetet sfidë për KRU-të, gjatë viti 2020 uji i pa faturuar gjatë vitit 2020 është 55 për qind dhe është i papranueshëm”, u shpreh ai.
Kurse, deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka qenë e interesuar të dijë se si ARrU-ja miraton planet e biznesit për KRU-të. “Ju thatë se i keni miratuar planet e biznesit të KRU-ve në nivel vendi a ka çështje që mbesin të ngritura te ndërmarrjet rajonale të ujësjellësit, në raportin e përgatitjes a është procedure standarde”, u shpreh Kusari-Lila.