15 pjesëtarë të FSK-së përfunduan me sukses trajnimin ‘Bjeshkataria’
Në bazën ushtarake të KFOR-it “Fshati Italian” në Pejë, është mbajtur ceremonia e certifikimit të 15 pjesëtarëve të Batalionit të Tretë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë (BRSh), të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin “Bjeshkataria”.
Trajnimi është zhvilluar nga 10 deri më 21 shtator 2018, ku ligjërues dhe vlerësues të trajnimit ishin oficerët e KFOR-it italian.
Ky trajnim është zhvilluar në formë të kombinuar, ligjërata dhe punë praktike në terren, ku janë testuar pjesëtarët e FSK-së në marshim, navigim, ndihmë të parë, via ferrata, lëshim me litar nga Bjeshkët e Rugovës, si dhe në disa fusha që ndërlidhen me bjeshkatari.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte që pjesëtarët e FSK-së, përkatësisht të Batalionit të Tretë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, të pajisen me njohuri dhe të fitojnë përvoja në fushën e bjeshkatarisë nga KFOR-it italian.
Instruktorët e KFOR-it italian janë ndarë mjaft të kënaqur me paraqitjen e pjesëtarëve të Batalionit të Tretë dhe me ecurinë e gjithë trajnimit, ku të gjithë pjesëmarrësit i certifikuan dhe për më të dalluarit kanë ndarë edhe mirënjohje.
Në certifikim e pjestarëve të FSK-së kanë marrë pjesë zëvendëskomandanti i BRSh-it, kolonel Hysen Dreshaj dhe zëvendëskomandanti i Batalionit të Tretë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë (BRSh), major Avni Kiqina.
/Epoka e re/