15 vjet pa Sali Manin, përjetësisht me krijimtarinë e tij
Nga Musli Krasniqi
“E bëj copa çiftelinë, e marrë pushkën për lirinë, ma shkruaj emrin vullnetar, për flamurin tonë kombëtar”.
Çfarë vargu epik!
Rapsodi i mishëruar me çiftelinë, ishte i gatshëm ta hidhte tutje atë, për të kapur pushkën, kur historia thërriste. Ishte kushtrimi më kuptimplotë në thirrjen për mobilizim të përgjithshëm kombëtar, kur Kosova digjej e vritej.
Sali Mani. Zëdhënësi artistik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Shembull i papërsëritshëm, kur tërë historinë kombëtare e gjen në tinguj muzikorë të një artisti të rrallë.
Një simbioze unike e të kaluarës lavdiplotë të kombit dhe një krijimtarie jetësore muzikore.
Nga një këngëtar fillestar i trevës së Malësisë së Madhe shpejt ishte bërë zëri dhe figura e dashur e tërë universit shqiptar.
Autor i mbi 1 mijë këngëve, ai do të mbahet mend për interpretimin origjinal, solo, nëpërmjet dy telave të qiftelisë së tij.
Atë e bën edhe më të veçantë dedikimi i pashtershëm muzikor për Kosovën dhe fatin e saj të dhimbshëm historik.
Gjatë luftës në Kosovë, kur djemtë dhe vajzat e saj kishin marrë mbi supe barrën e rëndë të lirisë, Sali Mani i këndoi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me devocion të veçantë, duke u bërë njëkohësisht zë i kushtrimit të luftës për të gjithë shqiptarët.
Sali Mani sot mban në lavdinë e tij medaljen presidenciale të meritave nga Republika e Kosovës, përderisa eposi i tij krijues tashmë gjindet në repertorin e secilit këngëtar të mirëfilltë të Kosovës e të Shqipërisë së Veriut.