Limaj: Kosova nuk duhet të humbasë orientimin e saj
Kryetari i Nismës, Fatmi Limaj, nga Prizreni ku u shënua 5-vjetori i degës së kësaj partie, deklaroi se Kosova po kalon në momente kritike dhe më shumë se kurrë shfaqet nevoja që politikanët të jenë të kujdesshëm me fjalët dhe vendi të mos e humbë orientimin e saj qenësor në temat e ditës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, ka thënë se në vend ka lloj-lloj politikanësh që janë mjeshtër të politikave ditore të cilët synojnë t’ia humbasin orientimin Kosovës dhe t’ia ngadalësojnë rrugëtimin vendit në proceset e saj.
Ai ka shtuar se qëndrimet e Nismës nuk janë piskamë dhe zhurmë dhe se subjekti i tij nuk bën politika ditore, por ndërton politika strategjike dhe dëshmi është përvjetori i pestë i kësaj partie.
“Sot ma shumë se kurrë kemi nevojë mos me humb orientimin. Sot ka zëra jashtë e brenda Kosovës që duan këtij vendi me ia humb orientimin. Me ja ligështuar pozicionet vendit tonë në negociata, me ia vonuar rrugëtimin vendit tonë në vizionin strategjik dhe këto të arriturat që kemi bërë në 20 vjet në këtë vend me ia shtu dhimbjen vendit tonë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë askush të mos na humbë këtë orientim strategjik të përmbylljes njëherë e mirë të temave të mëdha për vendin”, ka deklaruar Limaj.
Kreu i Nismës duke folur për subjektin e tij tha se janë flamurtar të korrektësisë politike dhe se shpeshherë herë janë shndërruar në ura bashkëpunimi në çështjet e rëndësishme për vendin.
Ai tha se Nisma ka gjetur frymën e bashkëpunimit në momente të vështira dhe kanë respektuar punën e gjithsecilit pavarësisht se kujt i përket apo bindjeve të tij.
Limaj inkurajoi degën e Nismës e cila përfaqësohet në Asamblenë komunale me pesë këshilltarë dhe udhëheq me drejtori në Komunën e Prizrenit që të mbështesë ide dhe projekte në shërbim të qytetarëve, pavarësisht se kush i propozon ato.
Në këtë tubim foli edhe kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, Zafir Berisha, i cili deklaroi se për një kohë të shkurtër, subjekti që përfaqëson ka arritur të bëhet pjesë vitale e qeverisjes lokale.
Ai ka thënë se duan të shtrijnë rrymën socialdemokrate në çdo lagje të Prizrenit me angazhimin e pandërprerë të të gjitha strukturave të kësaj dege në këtë qytet. Duke folur për qeverisjen në Prizren, Berisha tha se kjo nuk është e lehtë pas 10 viteve keqqeverisje dhe se po synojnë t’i kalojnë problemet duke u angazhuar maksimalisht përmes drejtorive që udhëheqin dhe këshilltarëve komunalë në Asamble.
Ai pati edhe një porosi për Partinë Demokratike të Kosovës e cila dikur ka udhëhequr me Komunën e Prizrenit duke thënë se ëndrrat e tyre për t’u rikthyer në pushtet nuk do të realizohen. “Duhet që ëndrrat e dikujt që ditëve të fundit po i sheh rreth qeverisjes komunale të mbetën dhe dekada të tjera ëndrra sepse thjesht ata që ëndërrojnë për t’u rikthyer pas 10 vite keqqeverisje në Prizren e kanë marrë dënimin ose gjykimin me votat e qytetarëve”, ka deklaruar Berisha.