16 foshnje të shpëtuara nga rrënojat transportohen me avion presidencial
16 foshnje të shpëtuara nga rrënojat e tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë ditën e hënë, janë transportuar në Ankara me avion presidencial.
Avioni presidencial i Rexhep Taip Erdoganit ka transportuar foshnjat nga Kahramanmaras, një nga rajonet më të goditura nga tërmetet 7.8 rihter dhe 7.5 rihter të së hënës.
Avioni është vënë në gatishmëri për t’u përdorur për të transportuar edhe personat e plagosur rëndë nga tërmeti. 16 foshnjat janë nxjerrë të gjalla nga rrënojat, ndërsa fati i prindërve të tyre nuk dihet.
Nga Ankaraja, ato janë transportuar në spitalin e qytetit Etlik.
Pamjet e publikuara nga mediat turke tregojnë foshnjat që mbahen në krah nga vullnetare, teksa i largohen të ftohtit ekstrem. Dy nga foshnjat ende nuk janë identifikuar, ndërsa 14 të tjera po merrnin ndihmën mjekësore në spitalin e Kahramanmaras kur ra tërmeti. Autoritetet lokale ende nuk kanë arritur të kontaktojnë me familjet e tyre.
Pasi ato kanë mbërritur në spitalin e Etlik janë vizituar nga Emine Erdogan, bashkëshortja e presidentit.