16 komuna nesër organizojnë Panairin e Sportit 2018
Organizim dhe mobilizim masiv pritet të ndodh sot (e enjte) në 16 komuna të Kosovës, të cilat në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, do të organizojnë Panairin e Sportit 2018.
Ky është edicioni i katërt i Panairit të Sportit, i cili këtë herë mbahet në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, që organizohet për herë të parë në Kosovë, nën patronatin e ministrit për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi.
Panairi i Sportit ka për qëllim që klubet sportive të komunave, të paraqesin ofertën e tyre për nxënësit e shkollave fillore, në mënyrë që fëmijët të largohen nga rruga dhe ata të joshen me sportet të cilat do të praktikohen.
Panairi do të mbahet në komunat: Prishtinë (ora 11:00), Gjakovë (11:00), Mitrovicë (10:00), Gjilan (11:00), Ferizaj (11:00), Viti (10:00),Drenas (10:00), Lipjan (10:00), Klinë (11:00), Deçan (10:00), Vushtrri (11:00),Obiliq (11:00), Malishevë (10:00), Rahovec (11:00), Kaçanik (11:00) dhe Dragash (10:00).
Në Prishtinë, hapjen do ta bëjnë presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe ministri Kujtim Gashi. Java Evropiane e Sportit ka nisur të dielën (23 shtator) dhe është hapur me Konferencën Barazia Gjinore dhe Diversiteti, të organizuar po ashtu nga Komiteti Olimpik i Kosovës.