‘16 mijë vullnetarë nga Lindja e Mesme do të luftojnë krah separatistëve rusë në Ukrainë’
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka aprovuar sjelljen e 16 mijë vullnetarëve nga Lindja e Mesme për të luftuar në Ukrainë krah separatistëve rusë në Donbas, shkruan “Reuters”.
Në një takim të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se janë 16 mijë vullnetarë në Lindjen e Mesme të cilët ishin gati të vinin për të luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore në rajonin separatist të Donbasit.
Putini ka thënë se duhet t’i ndihmojnë këta vullnetarë që të arrijnë në zonën e konfliktit.
“Nëse shihni se ka nga këta njerëz që duan me dëshirën e tyre, jo për para, të vijnë për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në Donbass, atëherë ne duhet t’u japim atyre atë që duan dhe t’i ndihmojmë ata të arrijnë në zonën e konfliktit”, ka thënë Putini.
Ai ka thënë i ka thënë ministrit të tij të Mbrojtjes se ka miratuar që raketat “Javelin” dhe “Stinger” të kapur nga ushtria ruse në Ukrainë t’u dorëzoheshin forcave separatiste në Donbass.
“Për sa i përket dorëzimit të armëve, veçanërisht atyre të prodhimit perëndimor që kanë rënë në duart e ushtrisë ruse – sigurisht që unë mbështes mundësinë për t’i dhënë ato njësive ushtarake të republikave popullore të Luganskut dhe Donjeckut”, ka thënë Putini.