16 miliardë dollarë për prodhuesit e bulmetit, mishit, perimeve…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të premten se qeveria amerikane e ka miratuar një program të ndihmave prej 19 miliardë dollarëve për fermerët, përfshirë 16 miliardë dollarë si pagesë e drejtpërdrejtë për prodhuesit e bulmetit, mishit, perimeve dhe produkteve të tjera.
Departamenti i Bujqësisë është duke bashkëpunuar me shpërndarësit rajonalë dhe lokalë për blerjen e prodhimeve të këtilla në vlerë të 3 miliardë dollarëve për t’i shpërndarë në qendrat e dhurimit të ndihmave për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes së papunësisë, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
“Bujqësia amerikane është goditur rëndë nga koronavirusit dhe presidenti Trump është duke qëndruar pranë fermerëve tanë dhe të gjithë amerikanëve për t’u siguruar që ne të gjithë ta tejkalojmë këtë emergjencë kombëtare”, tha sekretari amerikan i bujqësisë, Sonny Perdue.
Kjo agjenci tha se do të bëjë blerje të prodhimeve bujqësore në vlerë të 100 milionë dollarëve për secilin produkt për çdo muaj për të ofruar ndihmë për personat e goditur nga kriza.
Javëve të fundit, në qendrat e dhurimit të ndihmave ushqimore janë parë kolona të gjata të veturave për të marrë ushqim falas. Një e tillë u pa edhe në Teksas, ku u grumbulluan gati 12 mijë vetura.