16 nëntori – Ditë e madhe e rizgjimit kombëtar në Shqipëri

16 nëntor 2024 | 10:08

Shkruan: Besa Ismaili, ish deputet e Kuvendit të Kosovës

Xhamia e Plumbit në Shkodër u rihap për herë të parë për publikun në vitin 1990, pas 34 vitesh që kishte mbetur e mbyllur për shkak të politikave të regjimit ateist të Enver Hoxhës.

Në vitin 1967, regjimi komunist shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar çdo formë të praktikës fetare dhe duke mbyllur apo shkatërruar objektet e feve.

Xhamia e Plumbit në Shkodër, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare në Shqipëri, ishte ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushati dhe njihet për arkitekturën e saj unike me mbulesë plumbi.

Terrori ateist në Shqipëri, veçanërisht gjatë periudhës komuniste (1944-1991), përfaqëson një nga fazat më të errëta të historisë së shqiptarëve sa i përket lirive në përgjithësi, dhe lirive fetare në veçanti.

Gjatë kësaj periudhe, regjimi i Enver Hoxhës shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë në vitin 1967, duke ndaluar çdo formë të besimit fetar, konfiskuar pasuritë e kishave, xhamive dhe institucioneve të tjera fetare, dhe duke persekutuar mijëra hoxhallarë, priftërinj françeskanë dhe figura të tjera fetare. Ata u burgosën, u torturuan ose u ekzekutuan për shkak të rezistencës ndaj politikave shtetërore.

Më 16 nëntor 1990, Hafiz Sabri Koçi mblodhi besimtarët shkodranë dhe rihapi xhamitë dhe kishat.
Kjo është dita e madhe e rizgjimit kombëtar të shqiptarëve në Shqipëri.
Atë ditë në Kosovë, e mbaj mend qartësisht, ende nën represionin shtetëror serb, po e përjetonim nga televizioni shqiptar, me lot gëzimi në sy.

Rikthimi i objekteve fetare dhe vlerësimi i trashëgimisë shpirtërore janë pjesë e identitetit kombëtar, ndërsa liritë fetare janë një element themelor i të drejtave të njeriut dhe një tregues i demokracisë dhe tolerancës në shoqëri.
Mësimi i së kalurës së errët antifetare tek shqiptarët është një mënyrë për të reflektuar mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë, si dhe respektit për diversitetin në një shoqëri moderne.
Dritë e gëzim në amshim pastë shpirti i Hafiz Sabri Koçit!

May be an image of 2 people and text

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
67 kandidatë kanë kaluar me suksese testin nga fusha penale…