16 shtete padi kundër Trumpit
Një koalicion prej 16 shtetesh amerikane, i udhëhequr nga Kalifornia janë bërë bashkë për ta paditur administratën e presidentit Donald Trump për vendimin për të shpallur emergjencë kombëtare, me qëllim mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.
Padia u paraqit në gjykatën për Qarkun e Veriut të Kalifornisë.
Trump e shpalli emergjencën kombëtare të premten, duke anashkaluar Kongresin, pasi ky i fundit refuzoi të miratojë 5.7 miliardë dollarët e kërkuar për murin.
Njoftimi i presidentit erdhi pasi ai e nënshkroi një ligj të shpenzimeve, duke shmangur një mbyllje tjetër të qeverisë, por që i siguroi atij vetëm 1.3 miliard dollarë për barriera të reja në kufi.
Demokratët kundërshtojnë të financojnë murin, për të cilin Trump thotë se do të pengonte hyrjen e migrantëve të paligjshëm në SHBA.
“Po e ngremë këtë padi kundër presidentit Trump për ta ndaluar të përdorë në mënyrë të njëanshme fondet e tatimpaguesve, të lëna mënjanë në mënyrë legjitime nga kongresi për njerëzit e shteteve tona. Për shumicën prej nesh, zyra e presidencës nuk është një vend për teatër”, ka thënë Xavier Becerra, Prokuror i Përgjithshëm në Kaliforni.