
16 të vdekur nga stuhitë në ShBA
Të paktën 16 persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën që nga e mërkura mes stuhive të forta dhe përmbytjeve në Midwest dhe Jug të Shteteve të Bashkuara, njoftuan mediet lokale.
Transmetuesi amerikan CNN raportoi se stuhitë vranë të paktën 16 persona në Tenesi, Misuri, Indiana, Arkansas dhe Kentaki që nga e mërkura.
Autoritetet e Tenesit konfirmuan 10 vdekje.
”Në Kentaki, një djalë nëntë vjeçar u përfshi nga përmbytjet e furishme teksa po shkonte drejt një stacioni autobusi”, sipas policisë lokale.
Më vonë ai u gjet i vdekur.
Një shofer 74-vjeçar gjithashtu vdiq, pasi mbeti i bllokuar në automjetin e tij, kur ai u zhyt në ujë.
Në Misuri, dy zjarrfikës vdiqën duke iu përgjigjur thirrjeve të veçanta të premten dhe të mërkurën.
Në Indiana, një 27-vjeçar u vra në një incident që përfshinte linjat e energjisë të rrëzuara gjatë një stuhie.
Në Arkansas, një fëmijë pesëvjeçar vdiq në shtëpinë e tij.
Departamenti i Sigurisë Publike i shtetit tha në një deklaratë se vdekja e fëmijës ishte e lidhur me “motin e keq”.
Sipas transmetuesit ABC News, Arkansas mori aq shumë shi brenda pak ditësh sa zakonisht bie në tre muaj.
Në disa zona të goditura nga stuhitë, blloqe të tëra shtëpish ishin nën ujë.
Shtëpitë dhe makinat u zhytën deri në çati.
Tornado u raportuan gjithashtu në disa zona.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA lëshoi paralajmërime për tornado në pjesë të Luginës së Tenesit dhe Luginës së Misisipit të Poshtëm.
Në mars, stuhitë e forta në Midwest dhe Jug të Shteteve të Bashkuara morën jetën e rreth 40 personave.