Beqaj: Qendra e inovacionit do të funksionalizohet në bashkëpunim me UP-në
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka vizituar Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, ku ka prezantuar planet dhe objektivat e ministrisë që drejton, si dhe ka bashkëbiseduar me profesorët dhe studentët e këtij fakulteti.
Ai ka theksuar nevojën e themelimit të qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë nga të cilat kryesorja dhe më e rëndësishmja do të themelohet në hapësirat e Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Sipas ministrit Beqaj, Qendra e inovacionit dhe ndërmarrësisë në hapësirën e këtij fakulteti do të jetë më e madhja në regjion dhe do t’u shërbejë studentëve dhe profesorëve të këtij fakulteti.
“Qendra e parë e inovacionit dhe ndërmarrësisë do të funksionalizohet në bashkëpunim me universitetin dhe do të jetë në shërbim të studentëve për zhvillimin e koncepteve inovative, si dhe do të shërbejë si inkubator biznesi, do të pajisen me laboratorë modernë për shfrytëzim të përbashkët”, ka thënë Beqaj.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, ka shprehur përkrahjen e tij dhe të fakultetit për funksionalizimin e Qendrës së inovacionit dhe ndërmarrësisë në hapësirat që nuk janë duke u shfrytëzuar nga studentët dhe stafi akademik.