164 persona të vrarë gjatë protestave në Kazakistan
Ministria e Shëndetësisë së Kazakistanit njoftoi se 164 njerëz janë vrarë në protestat që kanë tronditur vendin gjatë javës së kaluar.
Nuk është e qartë nëse vdekjet u referohen vetëm civilëve apo nëse përfshihen vdekjet nga forcat e rendit.
Autoritetet kazake thanë më herët të dielën se 16 policë ose roje kombëtare ishin vrarë. Shumica e vdekjeve, 103 ishin në Almaty, në qytetin më të madh të vendit, ku demonstruesit dëmtuan ndërtesat qeveritare dhe i vunë flakën disave, sipas ministrisë.
Avokati i Popullit i vendit për të drejtat e fëmijëve tha se tre nga të vrarët ishin të mitur, përfshirë një vajzë 4-vjeçare.
Ministria më herët raportoi se më shumë se 2,200 njerëz kërkuan trajtim për lëndimet nga protestat, dhe Ministria e Brendshme tha se rreth 1,300 oficerë sigurie u plagosën.
Zyra e presidentit të Kazakistanit tha se rreth 5,800 njerëz u arrestuan nga policia gjatë protestave që u shndërruan në dhunë javën e kaluar.
Zyra e Presidentit Tokayev tha se rendi është stabilizuar në vend dhe se autoritetet kanë rifituar kontrollin e ndërtesave administrative që u pushtuan nga protestuesit, ku disa prej të cilave u dogjën./Alsat.mk