Skënder Gjinushi zgjedhet kryetar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri
Skënder Gjinushi, kandidati i vetëm për kryetar të Akademisë së Shkencave është zgjedhur në krye të kësaj akademie për 4 vitet e ardhshme.
“Meqenëse ka ndonjë rezervë se unë vi nga politika, e vërteta është ndryshe. Unë edhe ministër edhe akademik jam bërë nga matematika dhe jo e kundërta. Qëllimi nuk është politizimi i akademisë, por akademizimi i politikës”, ka thënë Gjinushi.
Në procesin zgjedhor ku dy vota janë shpallur të pavlefshme kanë marrë pjesë 43 akademikë, ku 11 prej tyre kanë votuar me postë. Akademiku Artan Fuga në rrjetet sociale, e ka quajtur procesin zgjedhor farsë, duke shtuar se shpresonte që presidenti mos ta miratonte kryetarin e Akademisë së Shkencave.
“Unë ende shpresoj se presidenti i Republikës, z. Ilir Meta që e ka në kompetencë ekskluzive ligjore miratimin ose jo të kryetarit të akademisë të shkencave nuk do ta miratojë këtë farsë elektorale dhe as rezultatin e saj”, ka shkruar Fuga.
Ndërsa, i pyetur nëse i druhej një mosdekretimi nga ana e presidenti akademiku Gjinushi është shprehur: “Absolutisht jo. Zoti Meta i njeh shumë mirë institucionet plus që edhe marrëdhëniet personale nuk janë të tilla që nuk i dimë se ku i takon vendi njëri-tjetrit”.
Vasil Tole është zgjedhur nënkryetar i Akademisë së Shkencave, Salvatore Bushati, sekretar shkencor dhe Neki Frashëri është zgjedhur kryetar i seksionit në këtë akademi.