Trumpi i jep përgjegjësi të reja prokurorit të përgjithshëm të ShBA-së
Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar agjencitë amerikane të inteligjencës që të bashkëpunojnë me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë, rreth të gjeturave të këshilltarit special, Robert Mueller, gjatë hetimeve që ka zhvilluar për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.
Kësaj here, prokurori i përgjithshëm, William Barr do të hetojë nëse fushata e presidentit Trump është spiunuar gjatë fushatës zgjedhore.
Vendimi i Trumpit shënon hapin tjetër që ka bërë Shtëpia e Bardhë me qëllim të zbehjes së përfundimeve që kanë dalë nga raporti i Muellerit.
Bazuar në të gjeturat e publikuara nga ky raport, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë pasur të drejtë kur kanë deklaruar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e ShBA-së, mirëpo nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për të vërtetuar se ekipi i presidentit ka penguar drejtësinë.
Prej publikimit të raportit, Trumpi dhe disa aleatë republikanë kanë bërë thirrje për të “hetuar, hetuesit” e përfshirë në hetime.
Ky hetim është hapur fillimisht nga FBI-ja, mirëpo më pas në të është angazhuar Muelleri, meqë Trumpi pati shkarkuar James Comey-n nga pozita e udhëheqësit të FBI-së.
Shefi i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, prokurori William Barr, ka supozuar se FBI-ja ka “spiunuar” fushatën e Trumpit, ndonëse një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga drejtori aktual i FBI-së.