169 raste të dhunës në familje në muajin mars
Policia e Kosovës ka bërë apel te qytetarët që të mos ushtrojnë dhunë ndaj askujt sidomos në kohën e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në muajin mars ka një rritje të vogël të rasteve kur qytetarët kanë raportuar ushtrimin e dhunës ndaj tyre, gjithsej 169.
“Në tremujorin e parë të këtij viti, janë evidentuar rastet si në vijim: janar 161 raste, shkurt 151 raste dhe në mars 169 raste të dhunës në familje”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Andaj referuar rasteve të ngritura ndër vite si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave qe gjendemi në këtë kohë pandemie, ku kërkohet qëndrimi i qytetareve ne shtëpi, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt”.
Përveç Kosovës, në mbarë botën është raportuar për rritje të shifrave të rasteve të dhunës në familje si pasojë e qëndrimit në shtëpi pas vendosjes së masave kufizuese në qarkullim.
Kosova aktualisht ka 387 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.
Nga dita e mërkurë në këtë shtet kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.