17 emigrantë vdiqën brenda muajit në Serbi
Brenda vetëm një muaji, 17 refugjatë dhe emigrantë kanë vdekur gjatë tentimit për të arritur në vendet e Bashkimit Evropian, përmes Serbisë, ka deklaruar komisari serb për refugjatë dhe emigrantë, Vlladimir Cuciq.
Fatkeqësia e fundit ka ndodhur më 13 dhjetor në Hungari, afër kufirit me Serbinë kur një veturë me targa serbe, në të cilën kishte refugjatë dhe emigrantë, ka pësuar aksident pasi ngasësi kishte refuzuar të ndalej për kontroll policor.
Në këtë aksident kanë vdekur shtatë persona, ndërsa katër të tjerë janë lënduar.
Në nëntor, tre të mitur kanë vdekur dhe 19 persona të tjerë janë lënduar në juglindje të Serbisë, kur një kombibus i cili po ashtu barte emigrantë ka pësuar aksident.
“Kur shihni numrin e të vdekurve është krejtësisht e qartë sesa dëshpëruese është dëshira e tyre për të vazhduar rrugën”, ka thënë Cuciqi para gazetarëve.
Numri i të lënduarve, sipas tij, të cilët pësojnë nga ana e policisë kufitare të shteteve në të cilat tentojnë të hyjnë, megjithatë ka rënë.
“Njerëzit, të cilëve në këtë apo atë mënyrë u pamundësohet kalimi i kufirit janë përditshmëri. Aktualisht janë rreth 40 të cilët kanë lëndime serioze të shkaktuara gjatë tentimit për të kaluar kufirin, por është shifër shumë më e vogël nga më herët”, ka thënë Cuciqi, shkruan “Rel”.
Cuciqi ka përmendur që më së shumti njerëz të cilët tentojnë të kalojnë kufirin në mes të Serbisë dhe Hungarisë, Rumanisë apo Kroacisë janë nga Afganistani dhe Siria.
Autoritetet në Serbi janë duke u përpjekur të arrestojnë trafikantët, me ndihmën e të cilëve emigrantët tentojnë të arrijnë te shtetet e Bashkimit Evropian.
Më 10 nëntor, në Serbi janë arrestuar shtatë persona nën akuza për trafikim të qenieve njerëzore. Në shtator janë arrestuar pesë nën dyshimin që për 6 mijë deri në 10 mijë euro ndihmuan së paku 15 migrantë të kalojnë nga territori i Serbisë në Kroaci dhe tutje në Austri e Gjermani.
Në gusht janë arrestuar katër persona nën dyshimin që me emigrantë kanë kaluar kufirin ilegalisht.
Që nga fillimi i krizës me emigrantë në vitin 2015, nëpërmes Serbisë, sipas të dhënave të Komisariatit për Refugjatë, kaluan më shumë se 1 milion njerëz.
Në 13 qendra për azil në Serbi aktualisht janë vendosur 4 578 persona prej të cilëve 322 fëmijë.
Më së shumti njerëz ka nga Afganistani (35%), Siria (22%), Bangladeshi (11%) dhe Pakistani (7%).