17 shkurti, kurorëzim i përpjekjeve ndër breza për liri dhe pavarësi
– Festa e 15-vjetorit të pavarësisë është e zbehtë pa liderët e UÇK-së dhe protagonistët kryesorë të 17 shkurtit
Një ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, Adem Grabovci, ka thënë se 17 shkurti i vitit 2008 është kurorëzim i përpjekjeve ndër breza të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Grabovci në këtë intervistë për “Epokën e re” ka thënë se për 15 vjet shtet Kosova ka arritur shumë.
Grabovci ka bërë me dije se festa e pavarësisë është e zbehtë pa liderët e UÇK-së të cilët gjenden në Hagë.
“Personalisht jam i thyer shpirtërisht për mungesën e tyre fizike në këtë përvjetor për shkak se me ta kam rrugëtuar në angazhimin tonë të përbashkët për liri dhe pavarësi. Për mua ata janë ndër figurat më meritore të luftës dhe pavarësisë”, ka thënë Grabovci.
“Epoka e re”: Z. Grabovci, Kosova sot feston 15-vjetorin e pavarësisë. Si e kujtoni 17 shkurtin e vitit 2008 kur Kosova është bërë shtet?
Grabovci: 17 shkurti është festë e veçantë dhe kurorëzim i të gjitha përpjekjeve ndër breza të popullit tonë. Është fat, nder dhe kënaqësi për gjeneratën tonë që kemi pasur rastin historik të punojmë dhe të jemi aktorë të shpalljes së pavarësisë. 17 shkurtin e kujtoj si datën më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Shpallja e pavarësisë në vetvete ngërthen shumë emocione, sidomos për ata që kanë kontribuuar për këtë moment të paharrueshëm. Këtu e kam fjalën për gjeneratat e mëhershme, dëshmorët, luftëtarët e lirisë dhe të gjithë ata që kanë punuar pareshtur duke mos kursyer as jetën e tyre që të realizohet së pari liria dhe pastaj shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim dëshmorët dhe të rënët për liri janë më meritorët për 17 shkurtin. Edhe pse dëshmorët kanë munguar fizikisht atë ditë, ata kanë qenë në mendjet dhe zemrat tona. Amaneti i tyre na obligon që ne të punojmë pareshtur që ta bëjmë Kosovën ashtu siç e kanë ëndërruar ata.
“Epoka e re”: Çfarë ju ka shkuar në mendje atë ditë kur keni hedhur nënshkrimin në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës?
Grabovci: Ne si popull kemi kaluar nëpër periudha të vështira, por edhe krenare për vendin. Personalisht flas për angazhimin tim të sinqertë në Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve, i cili ka qenë parapërgatitje për luftën çlirimtare, e cila ka kulmuar me lirinë e Kosovës. Këto dy ngjarje historike, por edhe ngjarjet e mëhershme, janë gurthemel i shtetit të Kosovës. Kemi pasur fatin që prijësit e këtyre ngjarjeve kanë ditur që t’i adresojnë qartë kërkesat e popullit për liri dhe pavarësi. Sigurisht, atë ditë me plot emocion dhe krenari kam kujtuar përpjekjet e popullit për liri, sakrificën e tyre, bashkëluftëtarët, dëshmorët, martirët dhe miqtë ndërkombëtarë të cilët kanë qenë me ne në ditët më të vështira. Personalisht kam pasur nderin të punoj me personalitet të shquara dhe historike. Falë tyre kemi arritur deri te 17 shkurti. Ardhja deri te kjo datë nuk ka qenë e lehtë, por shumë e vështirë dhe gjithmonë do të mbetet në kujtesën time si një ndër momentet më të lumtura dhe krenare të jetës sime. Krejt ky rrugëtim nuk mund të përshkruhet me një fjalë ose fjali sepse rruga jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e gjatë dhe përplot sakrifica.
“Epoka e re”: Sa është zhvilluar dhe forcuar Kosova në këto 15 vjet shtet?
Grabovci: 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë është e vërtetë se kanë ndodhur dhe janë zhvilluar ngjarje tepër të rëndësishme. Janë krijuar vepra të jashtëzakonshme të cilat është duke i shijuar çdo qytetar i republikës së Kosovës. Ne duhet ta rikthejmë kujtesën tonë dhe të shohim se ku kemi qenë dhe ku jemi sot. Dhe nëse duam të japim një konstatim të drejtë, korrekt dhe duke përdorur metodën krahasuese në këtë vend janë bërë vepra të mëdha pikërisht nga ata që mbi supet e tyre kanë bartur luftën për çlirim. Vetëm duhet të ndalemi dhe ta analizojmë se ku kemi qenë para pavarësisë dhe ku jemi sot. Kosova para 15 vjetësh ka qenë duke u përballur me pasojat e luftës dhe duke e sanuar një gjendje e cila ka qenë jashtëzakonisht e rëndë. Të gjithë e dinë se Kosova ishte e shkatërruar nga lufta, por falë vendosmërisë sonë kemi arritur ta zhvillojmë dhe forcojmë shtetin. Ndryshimet nuk mund t’i mohojë askush, por sigurisht se është mundur të bëhet më shumë. Siç e dini, Kosova ka nisur nga zeroja, por falë angazhimit tonë të përbashkët kemi arritur t’i ndërtojmë institucionet dhe ta shpallim pavarësinë. Tash na mbetet të angazhohemi për fuqizimin e shtetit, anëtarësimin e tij në NATO, OKB dhe Bashkim Evropian (BE). Me këtë rast dua t’i falënderoj partnerët tanë evropianë, mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), të cilat kanë bërë shumë për vendin tonë, duke na u gjendur afër edhe në çastet më të vështira kur luftohej për jetë a vdekje. Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për liri dhe pavarësi. Kjo mbështetje ka ardhur për shkak se lufta jonë e udhëhequr nga UÇK-ja ka qenë e pastër dhe e drejtë. Falë kësaj lufte të drejtë dhe të pastër për herë të parë kemi gëzuar edhe mbështetjen e aleatëve tradicionalë të Serbisë, të cilët e kishin parë se shteti serb është shtet gjenocidal. Prandaj rrugëtimi ynë deri këtu është meritë edhe e miqve tanë, por meritat kryesore i ka populli liridashës i Kosovës.
“Epoka e re”: Kur jemi te 15-vjetori i pavarësisë, a është Kosova në rrugën e duhur me këtë udhëheqje shtetërore?
Grabovci: Çdo qytetar, natyrisht edhe unë, do të doja që Kosova ta ketë një qeveri të përgjegjshme dhe të vetëdijshme për përgjegjësinë historike që ka karshi procesit të dialogut dhe sfidave me të cilat është duke u ballafaquar populli ynë. Uroj që kjo qeveri të këndellët sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i kryejë detyrat e veta për çfarë ka marrë besimin e qytetarëve. E them me keqardhje për këto dy vjet, absolutisht kjo qeveri bie ndesh me të gjitha interesat dhe përcaktimet e popullit dhe kauzës sonë shtetërore.
“Epoka e re”: Z. Grabovci, sa e zbeh këtë përvjetor mungesa e liderëve të UÇK-së dhe protagonistëve kryesorë të shpalljes së pavarësisë të cilët janë duke u ballafaquar me drejtësinë në Hagë?
Grabovci: Është shumë e vërtetë se ky përvjetor është i zbehtë pa ta dhe vërehet mungesa e tyre e madhe. Çdo qytetar që mendon drejt dhe pa emocione i mungojnë protagonistët e lirisë dhe pavarësisë. Ata që mendojnë për familjen e tyre, shtetin dhe atdheun, i kanë zemrat e lënduara për mospraninë e tyre në 15-vjetorin e tyre. Personalisht jam i thyer shpirtërisht për mungesën e tyre fizike në këtë përvjetor për shkak se me ta kam rrugëtuar në angazhimin tonë të përbashkët për liri dhe pavarësi. Për mua ata janë ndër figurat më meritore të luftës dhe pavarësisë. Kjo mund të mos i pëlqejë ndonjë shpirtligu, por ky është realiteti që nuk mund ta ndryshojë askush sepse ata na kanë udhëhequr drejt çlirimit dhe drejt shpalljes së pavarësisë. Në këtë drejtim ndaj Kosovës dhe atyre që janë në Hagë është duke u bërë një padrejtësi, e cila është më e madhja në historinë e shtetit tonë. Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare është duke bërë padrejtësi ndaj çlirimtarëve, të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre që Kosova të jetë e lirë dhe shtet i pavarur. Akuzat me të cilat po përballen ata janë absurde. Të gjithë e dinë se lufta e UÇK-së dhe e protagonistëve të saj ka qenë e drejtë dhe e pastër. Këtë që e them do ta vërtetojë e ardhmja. Nëse ka krim në drejtësi, ky është krimi më i madh ndaj drejtësisë duke i mbajtur në burg ata të cilët kanë qenë të angazhuar me krejt qenien e tyre për çlirim nga okupatori. Populli i Kosovës ka luftuar për mbijetesë dhe kjo që është duke ndodhur sot është e padrejtë. Pavarësisht kësaj, jam shumë i bindur që do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë dhe i uroj qytetarët e Kosovës për këtë festë, me thirrjen që të gjithë t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre humane dhe kombëtare që të jenë korrektë me UÇK-në.
“Epoka e re”: Cili është mesazhi juaj për Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin etj., për 15-vjetorin e pavarësisë?
Grabovci: Mesazhi im për ta është që të qëndrojnë ashtu siç janë duke qëndruar: të fortë si gjithnjë. Ata janë krenarë për luftën çlirimtare siç është krenar çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi. Fati e ka dashur që ata edhe njëherë të përballen me një sfidë të cilën nuk e kanë merituar. Prandaj në fund më lejoni t’jua uroj 15-vjetorin e pavarësisë, duke pritur që shumë shpejt do të kthehen në atdheun tonë të përbashkët për të cilin kanë një kontribut historik.