17-vjeçari Elion Bobani po e përfaqëson denjësisht Kosovën në garat e ‘CrossFit’-it

27 prill 2022 | 11:17

Elion Bobani është nga Gjakova dhe prej katër vjetësh merret me sportin e “CrossFit”-it. “CrossFit” është një sport i ri në botë, që ka nisur të zhvillohet edhe në Kosovë. Është sport ku ushtrohen të gjitha aspektet fizike si: forca, shpejtësia, shkathtësia, qëndrueshmëria, fleksibiliteti etj.

Në “CrossFit” përfshihen tri disiplinat kryesore: Peshëngritja olimpike, gjimnastika dhe cardio. “Unë kam filluar me ‘CrossFit’ prej katër vjetësh. Në këtë sport më ka njoftuar babai im, Leonardi. Në fillim ushtroja për të qenë i shëndetshëm, pasi kam vuajtur nga bronikiti kronik, ndërsa pas një kohe, kur u njoha më shumë për sportin, fillova të përgatitem për gara”, ka thënë Elioni për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Që prej fillimit të garave vitin e kaluar, 17-vjeçari ka nisur t’i vargojë sukseset. “Vitin e kaluar në fazën e parë të garave ndërkombëtare mora titullin ‘Fittest Teen’ në Kosovë (në grupmoshën 16-17 vjet) dhe ‘Fittest Man’ në Kosovë (divizioni 18+). Kurse në fazën e dytë, në renditjen botërore, përfundova i 27-ti, kurse në Evropë i katërti”, ka shtuar Bobani.

Rezultatet në këtë sport nuk merren vetëm në bazë të ngritjes së peshave, por edhe nga qëndrueshmëria, fleksibiliteti dhe shpejtësia, të cilat i posedon Elioni. Statistikat e tij në këtë sport janë: “Deadlift”: 200 kg, “Snatch”: 115 kg, “Back Squat”: 170 kg dhe “Clean And Jerk”: 130 kg. Dalëngadalë apetitet për rezultate të mira në këtë sport u shtuan dhe në garat e fundit të këtij viti, ai arriti deri në çerekfinale. “Jam renditur i 32-ti në botë dhe nuk kam arritur të hyj në gjysmëfinale. Synimet e mia ishin të hyj në finalet e ‘CrossFit Games’, që është niveli më i lartë i garave në këtë sport. Sidoqoftë, synoj që me punë edhe më të madhe të arrij këtë nivel”. Ditë më parë, një video të tij gjatë përgatitjeve, e shpërndau edhe faqja zyrtare e “CrossFit” në rrjetin social “Instagram”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar…