170 projekte do të realizohen me planin e prokurimit për vitin 2024 në Vushtrri
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë me dije se me planin e prokurimit për këtë vit do të realizohen 170 projekte në vlerën prej 12,281,862.00 euro.
Me planin e aprovuar të prokurimit, Komuna e Vushtrrisë do zhvillojë këto aktivitet: 60 kontrata për furnizim në vlerën 1,416,768.00 euro, 48 kontrata për shërbime në vlerën e parashikuar prej 1,096,350.00 euro, 62 kontrata për punë në vlerën e parashikuar prej 9,668,744.00 euro, dhe konkurset e projektimit në vlerën e parashikuar 50,000.00 euro.
Idrizi ka treguar se plani i Prokurimit për këtë vit, i cili është bërë në koordinim me drejtoritë, është hartuar duke u bazuar në buxhetin e vitit 2024, në mënyrë që ky plan të jetë konkret dhe t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve.
Ai ka thënë se kujdes i veçantë i është kushtuar kontratave afatgjate 1-3 vite, që të jenë në përputhje me Kornizën Afatmesme Buxhetore të komunës.