Pacolli jep lajmin e rëndësishëm rreth anëtarësimit të Kosovës në Interpol
Gjatë ditës së sotme Komiteti Ekzekutiv i Interpolit me seli në Lyon të Francës ka debatuar rreth aplikacionit të Republikës së Kosovës dhe ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, e cila këtë vit do të mbahet në Kili.
Lajmin e ka bërë me dije ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”.
“Policia e Kosovës, u cilësua në nivelin më të lartë të profesionalizmit dhe kredibilitetit, si organizatë policore moderne dhe me standarde të avancuara. Përbërja e Komitetit Ekzekutiv për vitin 2019 nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse, në debatin e sotëm, ishin vetëm tri shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme”.
“Prandaj, urojmë që edhe Serbia të i thërret zërit të arsyes dhe të mos veproj me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë. Do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Interpolit, dhe në anën tjetër të flasësh për paqe dhe siguri”, ka shkruar Pacolli.
/Epoka e re/