18 mijë aplikantë për 300 vende pune në polici
Mbi 17 mijë e 600 persona kanë aplikuar për 300 vende pune në Policinë e Kosovës.
Konkursi është mbyllur para një muaji, ndërsa kandidatët e përzgjedhur për testin me shkrim ende nuk janë njoftuar.
Policia e Kosovës këtë vonesë e arsyeton me numrin e madh të aplikuesve, ndërsa aplikuesit frikësohen se konkursi mund të anulohet.
A.R., 23-vjeçar, nga Prishtina, ka bërë të ditur për “Zërin” se ende nuk ka marrë ndonjë thirrje për konkursin në të cilin ka aplikuar për polic qysh në muajin prill të këtij viti.
“Kam aplikuar për zyrtar policor që nga data 20 prill dhe ende nuk kam marrë përgjigje. Kam pritur që muajin e kaluar do të na thërrasin, nuk e di se pse kaq shumë po vonon ky proces. Vitin e kaluar kam qenë në listë të pritjes dhe përzgjedhja nuk është vonuar kaq shumë”, ka thënë ai.
Duke mos dashur ta bëjë publik emrin, ai ende shpreson që do të marrë përgjigje pozitive nga ky konkurs.