18 personat janë infektuar nga, tashmë, kolegu i tyre i ndjerë
Mbrëmë janë konfirmuar 18 raste me koronavirus në Ferizaj.
Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka thënë se të gjitha këto raste u infektuan nga një person i vetëm, tashmë i ndjerë, i cili nuk kishte simptoma të koronavirusit.
“Ai nuk ka qenë me simptoma që kanë manifestuar me infeksion të Covid-19, por ka paraqitur simptoma krejtësisht të tjera, kardiake dhe, pas dërgimit në Prishtinë dhe pas vdekjes së tij, është konstatuar se ishte me koronavirus”, ka thënë Aliu.
“Të gjitha 18 rastet nga Ferizaj janë infektuar nga ky person. Rasti i sotëm flet për përmasat e shpërndarjes nga një person në tjetrin. Tash e tutje të marrim edhe masa të tjera për ta shtuar disiplinën e qytetarëve. Ne kemi përgjegjësinë si komunë që të bëjmë çdo gjë që ta ruajmë shëndetin e qytetarëve. Në koordinim me IKShPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë do të marrim edhe masa të tjera që janë të nevojshme, në mënyrë që Ferizaj të kalojë më mirë pas paraqitjes së numrit të madh të të infektuarve”, ka shtuar Aliu.
Ai ka bërë me dije se personi, tashmë i ndjerë, ka qenë deri më 6 prill pa shenja simptomatike të Covid-19. Sipas tij, ai ka komunikuar me të tjerët, se ka qenë vozitës në “Bondsteel”, ku ka punuar deri të shtunën e kaluar, pastaj e ka pasur pushimin dhe këtë kohë e ka kaluar me familjarët.
“Personat që mbrëmë kanë dalë pozitivë janë kolegë të punës dhe familjarë të tij. Pas vdekjes dhe zbulimit se ishte me këtë virus, të gjithë këta persona të prekur kanë qenë në masë të vetizolimit dhe instituti i ka marrë mostrat nga ta. Ata nuk kanë dalë, kanë qëndruar të vetizoluar. Tash mbetet vetëm ajo pjesë se çka kanë mundur të bëjnë ata para vetizolimit.
Le të shërbejë ky rast për të kuptuar se si nga një rast i vetëm mund të dalin shumë persona të infektuar”, ka deklaruar Aliu.