Senatori Bob Dole bëhet me bust në Prishtinë
Rreth një muaj më parë, në Prishtinë u përurua busti i ish-Sekretares së Shtetit Amerikan, Madeleine Albright në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të vendit, ceremoni në të cilën mori pjesë edhe vetë Albright.
, Prishtinës do t’i shtohet edhe një bust me emrin e një zyrtari amerikan, atë të ish-senatorit Bob Dole.
Këtë e ka konfirmuar zyra për informim e kryeministrisë, e cila ka njoftuar se “Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë nesër në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Bob Dole në lagjen Dardania në Prishtinë”.
Robert Joseph “Bob” Dole, i lindur më 22 korrik 1923 në Russell, Russell County, Kanzas- është një politikan amerikan, senator dhe ish-kandidat presidencial.
Në Uashington, në majin e vitit 2017, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Bujar Nishani nderoi me dekoratën më të lartë të Shqipërisë, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, ish-senatorin amerikan, Bob Dole, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahësin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.
Senatori Dole, i cili ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës, tha se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë.
Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.
Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike. Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviq t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.
“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar, – shkruante senatori Dole në atë kohë. – Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëve dhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviqi”.
Bob Dole është vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore, nga e cila edhe sot ka plagët në trup. Kjo është ndoshta arsyeja që jeta e tij ka qenë gjithmonë në krah të atyre të cilët vuajtën nga shtypja dhe kërkuan lirinë. Në këtë kauzë, shqiptarët mbeten ndër miqtë e tij më të mirë, nga ata që nuk të harrojnë.