187 vjet burgim për kosovarët që kanë luftuar në Siri e Irak
Shteti i Kosovës zë vendin e parë në Ballkan sa u përket dënimeve që ka shqiptuar për personat që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, përkatësisht në Siri e Irak.
Totali i viteve të vuajtjes së dënimit për kosovarët që kanë marrë pjesë në këto luftëra është 187 vjet, pastaj vijnë Shqipëria që ka shqiptuar 126 vjet burgim, Bosnja dhe Hercegovina 40 dhe Maqedonia 33 vjet burgim. Këto dënime përfshijnë periudhën për vitet 2015-2017.
Të dhënat janë publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal që merret me bashkëpunimin e vendeve të Evropës Lindore që synojnë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Sipas të gjeturave të këtij raporti, viti 2012, që shënon edhe fluksin e madh të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor drejtë Sirisë e Irakut, i ka gjetur të papërgatitur institucionet shtetërore.
Raporti tregon se si Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina, u përballen me sfida të mëdha në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, që ka shtyrë këto shtete të krijojnë strategjitë shtetërore për luftimin e kësaj dukurie.
Po ashtu në raport thuhet se nga viti 2012 deri në vitin 2017, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, drejtë Sirisë e Irakut, kanë udhëtuar mbi 1000 persona.
Ky numër përfshin individë që mendohet se kanë shkuar të jetojnë në ato vende. Shumë prej tyre janë kthyer në shtëpi, por një numër i madh janë vrarë në zonat e luftës në Siri apo Irak.
Në mesin e personave që kanë shkuar atje ka edhe shumë gra, fëmijë dhe të moshuar. Viti 2015 ka shënuar ngadalësimin e numrit të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor që kanë shkuar në Siri e Irak.
Kjo rrugë u ndalua plotësisht në fillim të vitit 2016. Ata që kanë mbetur atje e kanë të vështirë të kthehen në shtëpitë e tyre, thuhet në raport.
Deri më tani nga zonat e luftës në Siri e Irak, janë thyer mbi 130 qytetarë të Kosovës, derisa atje vazhdojnë të jenë edhe dhjetëra të tjerë.