Fillojnë dëgjimet buxhetore në Skenderaj
Komuna e Skenderajt, ashtu sikur vitin e kaluar që kishte mbajtur numër të madh të dëgjimeve buxhetore, ka nisur edhe për këtë vit ciklin e këtyre dëgjimeve, me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.
Fillimisht është mbajtur në Bashkësinë Lokale të Prekazit të Epërm, ku kanë marrë pjesë kryetari i komunës, Bekim Jashari, nënkryetari Nuredin Lushtaku dhe drejtorët komunal.
Në fillim të dëgjimit, kryetari Jashari duke i falënderuar qytetarët për pjesëmarrje, ka folur rreth investimeve publike që janë u bërë në komunën tonë, në çdo segment të jetës, ndërkohë ka përmendur edhe ndërtimin e sallës së sportit në oborrin e shkollës në Prekaz, si dhe projekte të tjera në infrastrukturën rrugore, trajtimin e ujërave të zeza, ujësjellës, bujqësi, arsim dhe të tjera.
Banorët nga ana e tyre kanë kërkuar mbështetjen e komunës sa u përket disa intervenimeve në rrjetin e trajtimit të ujërave të zeza, për çka kryetari Jashari u premtoi zgjidhje të problemeve.
Dëgjimi i dytë sot pasdite është mbajtur edhe në Klinë të Epërme, ku edhe në këtë takim numri i qyetarëve pjesëmarrës ishte i madh.
Kryetari Jashari ka përmendur edhe në këtë dëgjim investimet e Komunës jo vetëm në Klinë të Epërme, por në çdo fshat të komunës sonë, me qëllim të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve tanë.
Kryetari i komunës ka thënë se janë mbi 95 kilometra rrugë që do të asfaltohen, projekte këto që do fillojnë këtë vit dhe që do të vazhdojnë edhe gjatë viteve të ardhshme.
Jashari ka theksuar se në Klinë të Epërme pritet renovimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, dhe investime të tjera në rrugë, kanalizime, ujësjellës, bujqësi dhe fusha tjera.
Sa u përket këtyre dëgjimeve, kryetari Jashari ka vendosur standard të ri, pasi vitin e kaluar janë mbajtur 14 dëgjime të tilla. Edhe sivjet do të vazhdohet në të njejtën mënyrë. Meqë praktikisht me këto dëgjime po fillon hartimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, në këtë mënyrë kryetari Jashari dhe Komuna do të jenë më afër qytetarit dhe kërkesave të tyre për investime në mjediset ku ata banojnë, e rrjedhimisht po përmbushen edhe premtimet e tij, për transparenë të plotë dhe llogaridhënie.
/Epoka e re/