Skënderbeu rikthen Dajën
Ilir Daja është trajneri i ri i Skënderbeut ose, më saktësisht, kthehet një vit pasi kishte lënë drejtimin e korçarëve për të shkuar te Flamurtari.
Trajneri me të cilin korçarët përjetuan sezonin më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme edhe në grupet e Ligës së Evropës, ka rënë dakord me drejtuesit dhe të mërkurën ka qenë i pranishëm në zyrat e klubit.
Daja dot ketë një detyrë më të vështirë këtë radhë, pasi do t’i duhet të ndërtojë thuajse nga e para ekipin nga i cili janë larguar pjesa më e madhe e atyre emrave që shkruan historinë e futbollit shqiptar. Megjithatë, klubi i ka garantuar se do të ketë në dispozicion gjithsesi një grup cilësor, me të cilin si objektiv do të jetë arritja e kualifikimit në kupat e Evropës. Gjithçka për të hequr edhe një vit nga dënimi i dhënë nga UEFA, ndërsa pritet edhe vendimi që del nga Gjykata Federale në Zvicër ku është bërë animimi për vendimin në KAS.
Marrëveshja është njëvjeçare. Vazhdimësia e saj do të jetë në varësi të asaj që do të dalë nga zyrat e gjykatës në Zvicër.