Më 19 prill bëhet hapja e ekspozitës së piktorit Demush Avdimetaj
Më 19 prill në orën 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Simbiozë e Artit Klasik dhe Modern” të piktorit Demush Avdimetaj.
Kjo ekspozitë përmban tridhjetë (30) punime, vepra pamore – vizatime dhe piktura të realizuara në teknikat akrilik në pëlhurë, akrilik në letër, teknikë e kombinuar, etj. të cilat paraqesin elemente reale dhe të imagjinuar poetike, me kontura vizatimore grafike, piktoreske e skulpturore.
Piktori Avdimetaj është një ilustrator i shquar dhe një piktor me identitet të formësuar prej artisti.
Demush Avdimetaj dëshmon prirjen e tij për dy lëmitë artit pamor, vizatimin që është bazë dhe pikturën.
Peizazhet lirike merren nga natyra, por transponohen varësisht nga emocionet, disponimet dhe përjetimet estetike, duke krijuar imazhe vizuale mbresëlënëse, asociative dhe refleksive.
Avdimetaj ka realizuar mbi 20 ekspozita personale, ndërkaq kjo është ekspozita e tretë me radhë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.