19 vjet nga intervenimi i NATO-s kundër caqeve serbe
Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, NATO-ja ka nisur fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, për 78 ditë me radhë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë dje se kjo fushatë ka qenë vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës.
“Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri po ashtu ka thënë se populli dhe institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e Perëndimit, “për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe tani në rrugën e integrimit euroatlantik”.