19 vjet nga rënia e dëshmorit Jahir Mazreku
U lind më 24 qershor 1967 në Malishevë, në një prej shumë familjeve me traditë atdhetare. Gjyshi i tij, Asllani, ishte pjesëmarrës në Luftën e dytë botërore i cili ishte përgjigjur kushtrimit për mbrojtjen e kufijve të Kosovës si nacionalist e antikomunist.
Posa përfundon shkollën fillore në korrik të vitit 1982 vendos që bashkë me Safetin, djalin e axhës, të kalojnë kufirin e të dalin në Shqipëri, qëllimi i tyre ishte që përfundimisht të largoheshin nga shteti jugosllav. Kjo vepër do të dënohej, por kësaj radhe për shkak të moshës Jahiri dënohet më lehtë. Përfundon shkollën e mesme në Therandë, ish-Suharekë.
Në organizimin e veprimeve Jahiri bashkëpunonte me shokë të ngushtë dhe të afërm të tij. Revoltën që kishte, vendosi të kundërpërgjigjej. Shpërndarja e trakteve, shkuarja e parullave në të katër rrugët e qytezës së Malishevës, në objekte publike si: në shkollën e mesme, zyrën e vendit, si dhe ne objektin e stacionit policor.
Dënimin prej dy muajsh (për shkak se ishte ende i mitur) do ta vuaj në burgun e Prizrenit, me kusht që mos t’i përsëriste veprimet antijugosllave, ishte viti 1984. Kështu, pasi i kishte mbushur tashmë 20 vjet dënohet me 18 muaj në burgun e Lipjanit, 1987-1988. Pas lirimit nga burgu vazhdimisht përcillet nga spiunët, çdo organizim shtetëror qoftë manifestim apo ndonjë vizitë e ndonjë personaliteti të rëndësishëm për pushtetin, Jahiri merrej në bisedë informative në stacionin policor.
Pa dëshirën e tij organet e atëhershme përkatëse e obligojnë që të kryej shërbimin ushtarak. Në fillim e vendosin në Maqedoni në një qytezë në kufi me Bullgarinë e më pas në Tetovë. Për shkak të dosjes së Jahirit që kishin eprorët ushtarak ai vazhdimisht maltretohej dhe përcillej nga njerëzit e sigurimit ushtarak. Në këtë kohë në Kroaci po zhvilloheshin luftimet, si edhe shumë të tjerë edhe Jahirin e dërgojnë drejtpërdrejtë në këto luftime.
Shenjat e para të fillimit të organizimit të luftës në Kosovë atë e gjetën të përgatitur dhe të gatshëm për çdo detyrë që do t’i caktohej. Ishte ndër të parët qe iu bashkua radhëve të UÇK-së, me pushkën e ruajtur brez pas brezi e tash kishte ardhur koha e shumëpritur për të.
Në fillim e vendosin me detyrë ushtarake pranë spitalit ushtarak në fshatin Gajrak. Duke parë gatishmërinë, dhe përvojën e tij më vonë e vendosin në pikën frontale në Bllacë. Në këtë pikë luftimet u zhvilluan çdo ditë duke përdorur armatim të llojllojshëm nga ana e armikut. Përgatitja e tij, guximi dhe përvoja që kishte krijuar e bënin që të kishte një respekt nga ushtarët dhe eprorët. Mori pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan në Rahavec si përforcim që i dërgonin.
Më 8 tetor 1998 merr pjesë në sulmin që u organizua nga forcat e UÇK-së, mbi stacionin policor në Malishevë, ku ishin të stacionuara forcat serbe. Gjatë këtij aksioni Jahiri plagoset nga një predhë e armikut si dhe tre pjesëtarë të tjerë Habib Paçarizi, Sejdi Gashi, dhe Nait Mazreku.
Edhe përkundër plagëve që mori, Jahiri aktivitetet luftarake nuk i ndërpreu asnjëherë.
Në këtë kohë Jahiri bashkë me disa ushtarë dhe civilë, nga Jançisti kishin menduar të kalonin në drejtim të fshatit Zatriq. Posa kishin kaluar rrugën e asfaltuar ndërmjet fshatit Maxharrë-Astrazup ishin drejtuar bjeshkës përpjetë. Në momentin që ishin larguar nga rruga e asfaltuar, pikërisht rreth orës dy pas mesnatës më tre prill 1999, një natë e errët dhe me shi, armiku kishte zënë pritën në vendin e quajtur Maja e Kikës në distancë 7-8 metra duke u pamundësuar ndërmarrjen e ndonjë veprimi, armiku kishte hapur zjarr me të gjitha armët. Në momentet e fundit Jahiri kishte hedhur bombën në pozicionet e armikut.
Në qendër të qytetit të Malishevës, pikërisht më 28 nëntor 2013 në ditën e flamurit, u përurua objekti i Muzeut të qytetit me emrin e dëshmorit Jahir Mazreku, e para tij është edhe busti i këtij dëshmori. Ndërsa mbi fshatin Astrazup pranë rrugës Malishevë-Rahavec është i vendosur lapidari i dëshmorëve. Po ashtu një prej rrugëve të qytetit mban emrin e dëshmorit Jahir Mazreku.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Jahir Mazreku, lavdi të gjithë dëshmorëve anekënd!