190 ushtarë kanë braktisur FSK-në këtë vit

08 tetor 2024 | 11:17

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke raportuar para Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri është pyetur për largimin e ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka thënë se 190 pjesëtarë janë larguar sivjet, por se ky trend nuk është vetëm në Kosovë, por edhe në vende si Mbretëria e Bashkuar.

“Në Mbretëri të Bashkuar këtë vit janë larguar 6.5 për qind e ushtarakëve”, ka thënë Maqedonci.

Por, ai ka shtuar se, Ministria e Mbrojtjes “mbetet e inkurajuar” nga aplikimet e reja, për çka tha se kanë aplikuar 1 mijë e 555 persona për 300 pozita: pra, gjashtë për një pozitë.

“Për këtë qëllim kemi kërkuar nga drejtoria e burimeve njerëzore të bëjë plan të mbajtjes së personelit. Nuk është vetëm trend te ne. Është edhe statistikë”, ka thënë ai.

Maqedonci ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon të furnizohet me armë edhe këtë vit si vitet e kaluara “sipas formatit shtet më shtet dhe shtet me prodhues”.

Maqedonci nuk ka pranuar të komentojë në mbledhje të hapur lidhur me tenderin për ushqim.

“Kurse për pyetjen rreth ushqimit, nuk ka pas nënshkrim kontrate, për çështjen e një vendimi unë e vlerësoj që do të jetë takim me dyer të mbyllura sepse janë kufizime me ligjin për informacion të klasifikuar”.

“Ndërsa vendimet si merret për ta klasifikuar një kontratë, për atë kemi një komision që e bën vlerësimin”, ka thënë Maqedonci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi,…