BIK-u sqarohet për mishin asgjësuar nga AUVK-u
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) nëpërmjet një reagimi publik ka njoftuar se mishi asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUVK) i përket një sasie të mishit të therur në Istog.
BIK-u ka theksuar se do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të të gjeturave do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla.
“Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente do t’u shpërndahet kategorive sociale”, është thënë në deklaratën e BIK-ut.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUVK) ka njoftuar dje se ka asgjësuar 21 tonë mish, i cili po mbahej në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), e cila ndodhet në Veternik të Prishtinës.
Deklarata e plotë e BIK-ut:
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, më datë 21 gusht 2019, ka kërkuar nga AUVK-u, që të jap mendimin profesional për sigurinë e një sasie të mishit të kurbaneve që ndodhej në depon e cila është marrë me qira.
AUVK është kontaktuar pas dyshimit që kanë ngritur aktivistët dhe një pjesë e përfituesve të mishit të kurbanit.
Me të marrë këtë shqetësim, Kryesia e BIK-ut, fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen, e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë.
Inspektorët e AUVK pasi që kanë dalë në vendngjarje, kanë konstatuar se mishi që gjendej në depo nuk është i sigurt për konsumim dhe se i njëjti duhej të asgjësohej, gjë që edhe ka ndodhur, pra është asgjësuar në të njëjtën ditë nën mbikëqyrjen e AUVK, duke respektuar të gjitha procedurat që i parashohin ligjet në fuqi.
Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin e gjerë se sivjet ka therur kurban 1391 krerë lopë. Aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari, ku janë therur 1150 krerë lopë dhe një në Istog, ku janë therur 241 krerë lopë.
Mishi i asgjësuar i përket një sasie të mishit të therur në Istog, që sipas inspektorëve të AUVK është prishur, pasi që nuk është ngrirë në përmasat e duhura.
Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente do t’u shpërndahet kategorive sociale.
Kryesia e BIK-ut, sqaron për besimtarët që kanë porositur kurban në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të të gjeturave do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla.
Në fund, falënderojmë për korrektësinë dhe bashkëpunimin institucionin e AUVK-ut, mjetet e informimit, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në sqarimin e opinionit publik.
/Epoka e re/