Haradinaj: Kushdo që e pengon anëtarësimin në Interpol, ndihmon krimin
Policia e Kosovës ka shënuar sot 20-vjetorin e themelimit, me ç’rast ka mbajtur një ceremoni ku kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë institucionalë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për nevojën që Policia e Kosoës t’i bashkohet Interpolit.
Ai ka thënë se bashkimi i Kosovës në këtë organizatë, përbën përparimin në luftën kundër korrupsionit dhe sipas tij, kushdo që e pengon këtë gjë e ndihmon krimin brenda dhe jashtë vendit.
“Policia jonë me qenë pjesë e Interpolit për me luftu krimin transnacional. Me pengu anëtarësimin e Kosovës në Interpol, i bjen me ndihmu krimin”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka falënderuar edhe institucionet amerikane për bashkëpunimin e mirë e Policinë e Kosovës.
“Institucionet partnere të ShBA-së, ju falënderoj për bashkëpunimin. Policia e ruan jetën e nejrëzve të këtij vendi. Muj me thanë që njerëzit e Kosovës janë me fat që ju kanë ju”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë që ta përkrahë zhvillimin dhe rritjen e Policisë së Kosovës.