“Komandantët” nuk i ndërrojnë numrat në listën për deputetë
Derisa pjesës dërrmuese të ish-deputetëve i është ndërruar vendi në listën e kandidatëve për deputetë prej zgjedhjeve të kaluara, disa prej tyre në zgjedhje e 6 tetorit do ta mbajnë numrin e njëjtë që kanë pasur në zgjedhjet e vitit 2017. Rastësi apo jo, politikanët që nuk i ndërrojnë numrat në garën për deputetë janë personalitete të shquara të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rexhep Selimi i Lëvizjes Vetëvendosje prej vitit 2010 garon në zgjedhje me numrin 10 në listën e subjektit të tij. Të njëjtën gjë bëjnë edhe Bekim Haxhiu dhe Elmi Reçica, të cilët vazhdimisht në listën e PDK-së mbajnë numrin 109, përkatësisht 17. Po ashtu, Daut Haradinaj, sikurse në zgjedhjet e kaluar edhe kësaj radhe mban numrin 50 në listën e kandidatëve të koalicionit AAK-PSD. Afër Haradinajt në listë do të jetë kandidati i PSD-së për deputet, Fisnik Ismaili, i cili do ta mbajë numrin 51 sikurse në zgjedhjet e vitit 2017 që ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendose.
Numrin në listën e kandidatëve për deputetë nuk i pëlqen ta ndërrojë as ish-kolegu i Ismailit nga LV-ja, Sali Zyba, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit do të garojë me numrin 110 që kishte garuar edhe në zgjedhjet e kaluara.
Në mesin e atyre që nuk iu ka ndryshuar renditja në listën për deputetë nga zgjedhjet e kaluara ka edhe femra. Ish-deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, përsëri do ta mbajë numrin 6 në listën për deputetë të LDK-së.
Kandidati i LV-së për deputet, Rexhep Selimi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se subjekti i tij politik çdoherë e nderon me numrin 10 për shkak të pseudonimit që e kishte gjatë luftës, “Dhjetëshi”. “Është hera e tretë që në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë unë e mbaj nr. 10. Ky është një respekt nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të kaluarën time në luftë që lidhet me numrin 10, për të cilën unë i jam falënderues”, ka thënë Selimi.
Ai ka treguar se vetëm në zgjedhjet e vitit 2010 ka pasur një numër tjetër në listë. “Vetëm në 2010-ten kam pasur numër tjetër për arsye se në ato zgjedhje është përdorur alfabeti si renditje në listë. Në vitin 2010 kam garuar me nr. 89, kurse në 2014-n, 2017-n dhe tani në 2019-n do të kandidoj me nr. 10”, ka thënë ai.
Ndërsa njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se për ish-figurat e shquara të UÇK-së nuk është e rëndësishme renditja në listat zgjedhore. Analisti politik Behxhet Shala ka thënë për gazetën “Epoka e re” se numri te këta politikanë nuk luan ndonjë rol për numrin e votave, duke shtuar se ata e kanë të sigurt se do të zgjedhen deputetë. “Këta janë identifikuar me atë numër dhe nuk duan ta ndërrojnë. Përndryshe, këta persona që i përmende me emër nuk ka lidhje se çfarë numri marrin. Çfarëdo numri që kanë në listë ata marrin vota të mjaftueshme. Pra, numri te ta nuk luan kurrfarë roli për vota, sepse i kanë votat e sigurta. Numri është më tepër shenjë identifikimi, sepse ai nuk ka ndonjë peshë te ta për numrin e votave”, ka thënë Shala.
Ai ka thënë se ish-komandantët e UÇK-së votat për deputetë i marrin për shkak të kaluarës së tyre. “Emrat e atyre që i përmende të gjithë janë deputetë të ardhshëm. Këta nuk e kanë problem renditjen në listë. Ndash vendosni në fillim të listës, ndash në fund, këta votat për deputetë i kanë të sigurta. Askush, as Dautin, as Rexhën e as Elmiun nuk i njeh në bazë të numrit në listë, por për shkak të emrave të tyre dhe ajo është garanci që do të zgjedhen deputetë prapë. Pra, numri në listë te ta është çështje teknike dhe nuk luan kurrfarë roli në numrin e votave”, është shprehur ai, duke shtuar se një kategori e politikanëve në Kosovë, për shkak të kaluarës së tyre, mund të bëhen deputetë në çdo legjislaturë edhe pa folur kurrë në kuvend. “Këta votat në elektorat i marrin për shkak të emrit, për shkak të kaluarës së tyre, të aktivit që e kanë pasur në kohët më të vështira. Dhe ndërkohë kanë krijuar raporte me njerëz. Këta mund të mos flasin kurrë në Kuvend, por votat prapëseprapë i marrin. Pra, është një kategori e politikanëve në Kosovë të cilët, edhe po sikur të mos flasin kurrë, votat i kanë të garantuar, sepse i kanë votuesit e tyre standardë”, ka thënë ai.
Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2017 tregon se të “fortit” që nuk i ndërrojnë numrat lehtësisht janë bërë deputetë. Në zgjedhjet e fundit Daut Haradinaj kishte marrë 30 417 vota, Elmi Reçica 18 868 vota, Fisnik Ismaili 17 017 vota, Rexhep Selimi 13 288 vota, Bekim Haxhiu 12 754, Salih Zyba 5983 dhe Lirije Kajtazi 7 904 vota. /Muhamet KOCI/
Rexhep Selimi
Elmi Reçica
Daut Haradinaj
Bekim Haxhiu
Salih Zyba
Lirije Kajtazi
Fisnik Ismaili