2 500 punëtorë të KEK-ut kërkojnë kthimin e Njazi Thaçit në punë ose nisin protestat
2 500 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë nënshkruar një peticion, në të cilin kërkojnë kthimin në punë të drejtorit të KEK-ut, Njazi Thaçit.
Në bazë të njoftimit të Sindikatës së re të KEK-ut, këta punëtorë kanë paralajmëruar edhe protesta nëse Thaçi nuk kthehet në punë. “Punëtorët kanë paralajmëruar se nëse nga dita e hënë, datë 01.06.2020, nuk respektohet vendimi i inspektoratit për kthimin në punë të z. Nijazi Thaqi nga bordi i përkohshëm drejtues i KEK-ut, atëherë nuk na mbetët rrugë tjetër përveç të fillojmë protestat dhe format e tjera me organizimin e këshillave të punëtoreve”, thuhet në këtë njoftim i cili i është dërguar bordit të KEK-ut.
Inspektorati i Punës ditë më parë ka konstatuar se shkarkimi i Njazi Thaçit nga pozita e drejtorit është bërë në kundërshtim me ligjin. Vendimi i inspektoratit e obligon bordin të anulojë këtë vendim dhe ta kthejë Njazi Thaçi në pozitën që ishte. Në të kundërtën, nëse KEK-u nuk e zbaton këtë vendim, do të shqiptohet masa e dënimit me gjobë ndaj kësaj ndërmarrje publike.