2 547 ushtarakë të FSK-së janë trajnuar gjatë këtij viti
“2 547 është numri i ushtarakëve të FSK-së të trajnuar vetëm gjatë këtij viti”, kështu ka bërë me dije të enjten ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ai ka thënë se avancimi profesional i pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Kosovës përbën njërin ndër synimet më të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Përgjatë këtyre 19 muajve është investuar maksimalisht në financimin e trajnimeve të ushtarakëve tanë përkrah ushtrive të shteteve më të fuqishme aleate. Përmes bashkëpunimit me partnerët tanë strategjik në fushën e trajnimeve, po ngritim në vazhdimësi kapacitetet profesionale dhe operacionale në funksion të misionit tonë kushtetues, gjithmonë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së shtetit të Republikës së Kosovës, e përtej kësaj ky bashkëpunim në avancimin profesional të ushtarakëve kontribuon në përmbushjen e vizionit për anëtarësim në NATO”, ka thënë ministri Mehaj, duke shtuar se investimi i vazhdueshëm në FSK është garanci për ushtri që i shërben ruajtjes së paqes në vend, rajon dhe më gjerë.