2 miliardë e 942 milionë euro vlera e kredive në Kosovë
Industria bankare në Kosovë brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur ta përgjysmojë normën e interesit për kredi bankare. Kështu thuhet në komunikatën për medie të dërguar nga Shoqata e Bankave të Kosovës (ShBK).
“Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës në dhjetor të vitit 2018, norma mesatare e interesit në kredi të reja ishte 6.0 për qind apo më e ulëta që ka pasur Kosova ndonjëherë e që paraqet mundësi të mira financuese jo vetëm të klientëve privatë, por njëherazi edhe të bizneseve të vogla dhe të mesme. Në nivel rajonal, sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga Banka Botërore në vitin 2018, rajoni në përgjithësi ka norma të përafërta të interesit për kredi bankare, ku Mali i Zi qëndron me normën e interesit 6.36 për qind, Maqedonia e Veriut 6.1 për qind dhe Shqipëria 5.93 për qind”, është thënë në komunikatën për medie të ShBK-së, duke u shtuar se këto zhvillime e vendosin Kosovën në mesataren e rajonit sa i përket normës mesatare të interesit për kredi.
“Në anën tjetër, sipas po të njëjtit burim theksohet se në vitin 2018 Kosova pati rritjen më të madhe të kredive në rajon në mbi 11 për qind, ndërkaq Mali i Zi dhe Serbia 9 për qind e përcjell nga Bosnja dhe Maqedonia Veriore me 5 – 7 për qind. Vlera e kredive deri më sot në Kosovë është 2 miliardë e 942 milionë euro, ndërkaq 63.6 për qind e këtyre kredive janë kredi biznesore dhe 36 për qind kredi familjare prej të cilave vetëm 2.2 për qind e portfolios kreditore është kredi joperformuese”, është thënë në këtë komunikatë.
Më tutje në këtë komunikatë është theksuar se përgjatë këtyre viteve, sektori bankar në Kosovë është treguar jashtëzakonisht i kujdesshëm duke krijuar portfolio kreditore kualitative dhe njëkohësisht duke mundësuar rritje të konkurrencës përmes modernizimit dhe shtimit të numrit të produkteve dhe shërbimeve siç janë e-banking apo kartelat contactless, ndërkaq karakteristikë e rëndësishme vazhdon të jetë stabiliteti dhe likuiditeti i lartë, indikator ky që mundëson rritjen e mëtutjeshme të kredive të reja.
“Përmirësimi i kushteve të të bërit biznes në Kosovë ka mundësuar uljen e normës mesatare të interesit në kredi dhe rritjen e vlerës së përgjithshme të kredive të ofruara dhe kohëzgjatjes së kredive”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e ShBK-së.
/Epoka e re/