2 orë e gjysmë intervistim, Haxhiu: Prokuroria Speciale po tenton të më pengoj në punën time
Pas më shumë se dy orësh, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përfunduar intervistimin në objektin e Policisë së Kosovës.
Ministrja Haxhiu tha se dikujt po i pengojnë reformat që ata si Qeveri po i adresojnë, e për të cilat ajo tha po punohet vazhdimisht.
Por, Haxhiu shtoi se edhe vetë Prokuroria Speciale po e pengon të bëjë punën e saj, pasi siç tha ajo për çdo deklaratë të saj, ky institucion po e autorizon policinë për ta marrë një deklaratë nga ajo.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale jam intervistuar dje dhe sot në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që se kam thënë për herë të parë, pasi ka kohë që unë deklaruar asisoj, në RTV Dukagjini në një emision, që ndërlidhet me përpjekjet e prokurorëve apo sistemit të drejtësisë, prokurorit gjyqtarë për takime, favore dhe të tjera”.
“Me që rast kam shpjeguar që ne si Qeveri nuk funksionojmë asisoj, si në të kaluarën, por që ne e kemi për obligim që t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat po punojmë në vazhdimësi dhe duket që dikujt po i pengon, andaj dhe Prokuroria Speciale po tenton të më pengoj në punën time, me që rast edhe e keni parë në vazhdimësi, çfarëdo deklarate që unë e kam dhënë, ata kanë bërë autorizim për policinë për të dhënë apo marrë deklaratën time. Rasti i dytë ka të bëjë me një reagim timin në Facebook, i cili vjen si një kundërpërgjigje ndaj përpjekjes së radhës së Qeverisë së Serbisë, përmes zëdhënësit Ivica Daçiq, i cili tentoi që ngjarjen që ka ndodhur në Loznicë, ta ndërlidhë me një sulm terrorist që kinse të përgatitur nga Republika e Kosovës.”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Sot ishte dita e dytë e intervistimit të Ministres Albulena Haxhiu, pasi intervistimi i saj nga Prokuroria Speciale nisi qysh dje.
Haxhiu në reagimin e saj, në ditën kur dhe u raportua për vrasjen e Faton Hajrizit, kishte thënë se se është fakt se arratisja e disa personave të kërkuar nga institucionet në Republikën e Kosovës, po bëhet në drejtim të territorit të Serbisë, dhe informacionet sipas saj, sugjerojnë se disa arratisje janë bashkëorganizuar nga grupet kriminale atje.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ishte deklarata e Ministres.
Për këto deklarata, ku dhe u kërkuar dorëheqja e saj, Ministrja Haxhiu kërkoi edhe mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, gjë që u pa edhe sot kur ajo shkoi drejt Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar.